Seanca e radhës në GJKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj, për kalimin ose për gjykim të çështjes, është shtyrë për në datën 19 janar dhe shkak sipas Veliajt është bërë mos shoqërimi i tij nga qendra e paraburgimit në Durrës.

Nisur nga ky pretendim, Drejtoria e Burgjeve ka reaguar teksa rrëzon pretendimet e të paraburgosurit për korrupsion, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, pastrim parashë, e një sërë akuzash të rënda penale.

DEKLARATA E DREJTORISË SË BURGJEVE

Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore.

Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, Kancelaria e Gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds