Nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësinë të rivlerësojnë pronat e tyre, duke i përafruar me çmimet reale të tregut.
Është kjo data e propozuar nga ministria e financave dhe e hedhur për konsultim publik. Rivlerësimi këtë herë do të jetë me një tatim prej 5%, nga 15% që është aktualisht dhe 3% që ishte në fushatën e fundit të realizuar në vitin 2022.
“Ky projektligj do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit, përmes rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi rivlerësimin, i cili propozohet të jetë në normën 5%, pa pasur nevojë për ndryshime të normave tatimore ekzistuese. Kjo e bën atë një instrument efikas dhe të qëndrueshëm për politikën fiskale”.
Kjo nismë e re, e cila vjen në një periudhë kur çmimet e pronave janë rritur ndjeshëm, synon të rrisë transparencën në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, pa rritur normat tatimore ekzistuese.
“Projektligji parashikon të drejtën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme që janë në proces regjistrimi, duke përfshirë edhe pasuritë e legalizuara në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Nëse ky rivlerësim do të miratohet, do të jetë i pesti proces në 13 vite. Procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022, nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin dhe u rivlerësuan 168.200 pasuri, ndërsa buxheti i shtetit përfitoi 14 miliardë lekë.
Gjithashtu, ministria ka publikuar edhe çmimet e reja të referencës për çdo qark të Shqipërisë.