Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”. Berisha u prit nga disa mbështetës të tij para se të futej brenda ambienteve të SPAK. Pas daljes nga SPAK, kreu i PD-së doli edhe në një deklaratë për mediat. Berisha tha për gazetarët se ardhja e tij aty shërben si dëshmi e “keqpërdorimit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama për luftuar kundërshtarë politikë”. Kryedemokrati tha se çështja kundër tij është dëshmi e standardit të dyfishtë të SPAK që sipas tij sulmon opozitën pa asnjë fakt. Ai tha se Prokuroria e Posaçme nga ana tjetër po mbulon vjedhjet dhe korrupsionin qeveritar. Berisha u shpreh se ministri Taulant Balla po bën fushatë i lirë, ndërsa tha se është anëtar i grupeve kriminale të Suel Çelës dhe Bajrave. Ai tha se i ka lënë sot një shënim kryeprokurorit Altin Dumani, ku thuhej se mbyllja e aferës “McGonigal” përbën krim ndërkombëtar. Berisha u shpreh më tej se McGonigal i çon mesazhe kryeministrit Edi Rama çdo ditë nga qelia. Ai tha se më 11 maj, shqiptarët duhet të votojnë për ta çuar Ramën pranë tij. Gjithashtu pas daljes ai është përshëndetur nga të paraburgosurit para SPAK. Berisha teksa dëgjoi thirrjet për të u shpreh se i garanton ata se do të shpërblehen me rrogat e qeveritarëve për burgun që po e bëjnë pa meritë. Ai theksoi se Shqipëria është njolla e zezë e turpit në Europë dhe nga më të zezat në botë. Sipas tij në vendin tonë mbahen 67 përqind e popullatës së burgjeve është në paraburgim. Ai theksoi se nuk ka dëshmi më madhore torture se sa kjo.