Jozefina Topalli, e deleguara politike për Diasporën në PD, ka deklaruar sot se dorëzimi i votave të emigrantëve ka dalë jashtë kontrollit.

Sipas Topallit, punonjësja e Ambasadës në Itali, Marjeta Mikeli  ka mbledhur zarfet në mënyrë te paligjshme.

“Posta DHL në Greqi ka kontaktuar nënkontaktor, që është një thyerje e normave ligjore dhe kodit zgjedhor. Kemi raste që jo vetëm nuk dorëzohen zarfat individualisht me pasaportën, ky do të ishte një pretendim i çmendur ndoshta, edhe pse është ligjor, por ata çojnë email dhe i thonë të vijnë në pikën më të afërt.

Zakonisht pika më e afërt e Speedex apo Currier dhe pika më e afërt është një pikë bastesh, dhe shqiptarët shkojnë, por nuk e gjejnë më zarfin aty. U thonë se zarfi i tyre nuk është më këtu, pavarësisht se ata nuk e kanë marrë, dhe dikush tjetër ka shkuar të marrë zarfin e tyre.

Kemi raste si në Itali, që një zonjë që punon në ambasadën në Romë, shkon e mbledh zarfet dhe i dorëzon zarfet në mënyrë antiligjore. Quhet Marjeta Mikeli dhe kjo është e pabesueshme, jo se nuk e kanë bërë gjatë regjistrimit, por tani kanë kaluar çdo masë. Por nëse Itali është më e kufizuar, por zonja do të merret nën hetim, ajo që po ndodh në Greqi është në të gjithë territorin e shtetit grek dhe shqetësimi është jashtëzakonisht i madh. Kemi informacione që marrin makina me qira dhe i çojnë në Greqi për të mbledhur votat.

Kemi raste të tjera të cilat si psh, një ish-kryetar i komunës së Çarshovës, që tani është në bashkinë e Përmetit, pasi shkon aty dhe ka numrat e telefonit, informacioni që  vjen tek ne, është se i japin një shumë financiare dhe pastaj ua plotëson vetë fletën e votimit, Veli Mehmeti e ka emrin. Gjëra të tilla janë të përsëritura, nuk është më një fenomen sporadik, por është kthyer në një normalitet.

Unë e kuptoj alarmin që ka pala tjetër në lidhje me situatën që është aty, por thyerja e ligjit, futja e njerëzve të PS-së sikur të ishin zyra të DHL-së, është e papranueshme.

Për këto raste i kërkojmë jo vetëm KQZ-së, por edhe SPAK që në mënyrë të veçantë në Greqi, të verifikojnë raste të tilla skandaloze që e kanë nxjerrë gati jashtë kontrollit procesin e votimit dhe të dorëzimit të zarfeve në këtë vend.

Jo rastësisht që nëse deri pardje numri i zarfeve nga Greqia ishin rreth 17 mijë, brenda 24 orësh, pikërisht në periudhën që ne po na vinin informacione për manipulim në një shkallë të votës, ky numër kërceu me 6 mijë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër, edhe pse ka numër votuesish shumë më të madh”, deklaroi Topalli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds