“Dita e Trashëgimisë Kulturore” në Roskovec u kthye në një skenë të gjallë feste, ku folklori dhe tradita u ringjallën me gjithë hijeshinë e tyre. Projekti “RiFOLK – Rinia” mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit promovoi folklorin dhe traditën në Roskovec, me një aktivitet unik që solli para publikut improvizimin e një dasme myzeqare.
Sheshi “Memorial” u gjallërua nga çdo element i kësaj tradite: tingujt e kabas, oda myzeqare, ceremonia e pajes, përgatitja e bukës, stolisja e dhëndrit, dhe natyrisht vallja dyshe e burrave, që ndezi duartrokitje të forta në publik.
Momentet më emocionuese ishin përcjellja e nuses, e shoqëruar me këngë dhe rituale të vjetra, që sollën nostalgji tek të moshuarit dhe kureshtje tek brezi i ri.
Për kryebashkiaken Majlinda Bufi, ky aktivitet, i zhvilluar në kuadër të Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, tregoi se Roskoveci mbetet një vatër e pasur e kulturës popullore dhe se angazhimi i të rinjve është çelësi për ta mbajtur këtë trashëgimi të gjallë.
Pjesëtari i Grupit të Roskovecit , Harilla Goga, pohon se tradita e dasmës është zbehur ndaj duhet trashëguar te brezi i ri, për të mos humbur këtë pasuri të çmuara të trashëgimisë kulturore.
“ Dasma Roskovecare” , synon të kthehet në traditë të përvitshme për të mbajtur gjallë traditat e zonës të trashëguara ndër breza.
