Drejtuesja politike e diasporës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli zhvilloi sot një takim me gazetarët.
Diaspora dhe gratë do të bëjnë ndryshimin, theksoi ajo gjatë fjalës, ndërsa komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama se ata që votojnë PD janë çyryk.
“Janë dy momente kyçe që do të bëjnë ndryshimin e madh, diaspora e para dhe e dyta gratë të cilat nuk pranojnë kurrë që baballarëve dhe fëmijëve të tyre t’u thonë qeros, çyryk se i bie që fëmijët e tyre për shkak të ADN të jenë të tillë, ne e shohim me pozitivitet votimin që po ndodh kudo në botë, është një moment historik”, tha Topalli.
Topalli: Shfrytëzoj rastin për t’i bërë thirrje kësaj qeverie që të marrë përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet e saj ligjore dhe logjistike. Shkelja e afateve dhe standardeve të përcaktuara me ligj është një kërcënim serioz ndaj votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe, në këtë mënyrë, cënon rëndë integritetin e këtyre zgjedhjeve.
Por, duke thënë këtë, në të njëjtën kohë dua të përsëris mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë shqiptarët që, në mënyrë masive, po votojnë, po sakrifikojnë dhe po sfidojnë vështirësitë, edhe pse nuk e kishin për detyrim. Me votën e tyre, me zarfin që e dërgojnë në Shqipëri, ata duket se do të përmbysin regjimin që i përjashtoi, që i dëboi nga vendi i tyre.
Ndoshta janë pikërisht këto dy momente kyçe që do të sjellin ndryshimin e madh: diaspora nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, ato familje të thjeshta shqiptare që nuk pranojnë kurrë t’u thonë baballarëve të tyre, apo vetes së tyre, se ishin “të tepërt”, se ishin “të padëshiruar”, sepse po ta pranojnë këtë, do të thotë që edhe fëmijët e tyre të pranojnë një dënim që nuk e meritojnë.
Ne e shohim me pozitivitet këtë proces votimi që po ndodh kudo nëpër botë. Kjo kërkon mirënjohje. Kjo është një ngjarje historike. Shqiptarët po votojnë në një akt të fortë drejtësie, në një akt historik për t’iu kundërvënë dëbimit që u është bërë për vite me radhë, më shumë se një milion shqiptarëve, jo thjesht si emigrim ekonomik, por si një proces që ka marrë përmasa të një spastrimi etnik.
Nëse nuk ndalojmë këtë fenomen të dëbimit dhe largimit të shqiptarëve, shumë shpejt do të shndërrohemi në një vend azili për të moshuar, ndër më të vetmuarit në botë. Ne, shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe ata jashtë saj, nuk duhet dhe nuk do të lejojmë kurrë që të humbasim vendin dhe kombin tonë për shkak të interesave të ngushta, arrogancës apo frikës së dikujt që kërkon vetëm të mbajë pushtetin.