Në një gjyq që po trondit themelet e karrierës së një prej ‘ikonave’ më të mëdhenj të muzikës në vitet 2000, vëmendja në javën e parë të seancave gjyqësore nuk ishte te Sean “Diddy” Combs, por te ish-e dashura e tij, këngëtarja e R&B, Cassandra “Cassie” Ventura.
Cassie, e cila është tetë muajsh shtatzënë, dëshmoi për katër ditë me radhë në një gjykatë federale në Manhattan, duke përshkruar me detaje emocionale vitet e abuzimit fizik, seksual dhe psikologjik që thotë se ka përjetuar gjatë marrëdhënies 11-vjeçare me reperin dhe producentin e njohur.
Sipas Ventura-s, Diddy e keqtrajtonte rregullisht, e kontrollonte në çdo aspekt të jetës dhe e detyronte të merrte pjesë në akte seksuale, ku ajo kryente marrëdhënie me meshkuj të tjerë ndërsa Diddy filmonte gjithçka.
Prokurorët e kanë cilësuar Combs si drejtues të një sipërmarrjeje kriminale që përfshinte trafikim seksual dhe rekrutimin e personave për prostitucion, duke përdorur presionin psikologjik dhe kërcënimet. Aktakuza ndaj tij përfshin akuza për komplot për trafikim seksual, shfrytëzim për prostitucion dhe pjesëmarrje në një rrjet kriminal.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë pranuar që Combs ka qenë i dhunshëm, por mohojnë akuzat për trafikim seksual apo krime të organizuara, duke pretenduar se marrëdhënia mes tij dhe Cassie ishte toksike dhe e ndikuar nga xhelozia dhe abuzimi me drogë nga të dyja palët.
Një nga momentet më tronditëse të seancave ishte publikimi i një videoje të vitit 2016 ku Diddy shihet duke rrahur dhe tërhequr zvarrë Cassie-n në një hotel në Los Angeles – një pamje që, sipas mediave amerikane, shumë nga juristët e kishin parë para se të përzgjidheshin për gjyqin.
Për prokurorët, dëshmia e Cassie Ventura është një hallkë kyçe në ndërtimin e rastit kundër Diddy-t – një përpjekje për të treguar se marrëdhënia nuk ishte thjesht e ndërlikuar apo toksike, por një shembull i një sistemi të mirorganizuar abuzimi dhe kontrolli me përmasa kriminale.
Gjyqi pritet të vazhdojë në javët në vijim, me fokusin e jurisë që do të përqendrohet te dallimi midis pëlqimit dhe detyrimit – një element vendimtar për të përcaktuar nëse Sean “Diddy” Combs do të mbahet përgjegjës për akuzat e rënda që rëndojnë mbi të.