Fermerët në fshatrat Thanë, Çinar, Koçaj, Fiershegan, Barbullinjë të njësisë administrative Fier-Shegan në bashkinë Lushnje të vendosura në pjesën jugperëndimore të rezervuarit të Thanës, prej 30 vitesh janë specializuar për prodhimin e pjeshkëve, ku për kultivimin e drufrutorëve ka mbi 200 hektarë në prodhim.
Por 15 minuta breshër që ra një muaj më parë ka prekur cilësisë e prodhimit që këtë vit është vetëm për treg të brendshëm, jo për eksport, me çmim mesatar 50 deri në 60 lekë të reja dhe me shumë mundësi çmimi do të pësojë sërisht rënie për shkak të cilësisë jo të mirë. Një vit më parë çmimi ishte 200 lekë për kg.
Këto ditë ka nisur dhe vjelja e nxjerrja në treg e pjeshkës dhe nektarinës me rreth 50 deri në 60% të prodhimit krahasuar me një vit më parë.
Fermerët jashtë kamerës shprehen se prodhimi nuk është i siguruar nga fatkeqësitë natyrore, pasi asnjë kompani sigurimesh nuk e ofron.
Ndërkohë që nuk ka asnjë lloj skemë mbështetëse për këtë kulturë nga ana e qeverisë shqiptare.