Një nga rastet më të rënda të dëmeve nga zjarret në qarkun e Vlorës ka çuar në nisjen e hetimeve për tre shtetas të dyshuar si përgjegjës për një zjarr masiv që përfshiu disa fshatra në bashkinë Delvinë.

Policia e Delvinës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, ka vënë nën hetim shtetasit Alfred Muçi, 56 vjeç, Dilaver Guga, 60 vjeç dhe Serjan Çepe, 34 vjeç, banues në fshatin Kalasë, të cilët dyshohet se më 24 korrik, rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në Kalasë.

Si pasojë e përhapjes së flakëve nga data 24 deri më 28 korrik, zjarri përfshiu zonat përreth dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në fshatrat Senicë, Tatëzat, Vergo, Kopaçez dhe në malin e Galishtës.

Nga verifikimet paraprake rezulton se janë djegur 18 banesa (të banuara dhe të pabanuara) në Senicë, një kishë, rreth 20 000 rrënjë ullinj dhe 200 koshere me bletë.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve”. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e çdo personi të përfshirë në këtë zjarrvënie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds