Në Gjykatën e Posaçme po mbahet gjyqi në themel për Erion Veliajn, i cili ndodhet në burg që prej shkurtit të vitit të kaluar dhe 29 të pandehurve të tjerë.
Mbrojtja e kryebashkiakut, avokati Plarent Nderca ka kërkuar dy javë kohë për t’u njohur me dosjen.
Kjo kërkesë është refuzuar nga prokurori Ols Dado, i cili argumenton se është e panevojshme dhe se Veliaj ka ndërruar disa avokatë.
Ndreca: Kam një kërkesë me shkrim, është dy faqe. Unë kam kërkuar që të njihem me aktet e dosjes, unë kam kërkuar oraret kur unë mund të vij në gjykatë për t’u njohur me dosjen, më pas kam marrë angazhimin për studimin e dosjes. Në fillim më thanë që do e marrësh në mënyrë elektronike, por kjo nuk u bë e mundur për shkak të kundërshtimit të prokurorisë. Kam ardhur me një grup avokatësh. Kërkoj një afat 2-javor që unë të realizoj një shqyrtim paraprak të dosjes, që unë të kuptoj si duhet ta realizoj mbrojtjen dhe të paraqes një plan të detajuar sesi unë do ta bëj mbrojtjen. Gjykata duhet të sigurojë kohën e nevojshme që të bëjmë një mbrojtje efektive. Çdo nxitim i pajustifikuar nuk i shërben drejtësisë. Ky proces ka edhe impakt në publik për shkak të funksionit të të pandehurit Erion Veliaj, si kryebashkiak i zgjedhur disa herë me votë. Pasi të njihemi me aktet mund të bëhet një debat real. Kërkojmë të njihemi me dosjen dhe të merrni parasysh kërkesën tonë.
Ols Dado: Kërkesa e mbrojtës së zotit Veliaj për një afat prej dy javësh, është e panevojshme, sepse zoti Veliaj ka ndryshuar disa mbrojtës, aktet i janë dhënë, sepse mund te jemi serish edhe pas një muaj me të njëjtën situatë, ndryshim avokati dhe ai do të kërkojë kohe për t’u njohur me aktet. Për të pandehurin Elman Abulen dhe shoqërinë ‘Rametal’, që kërkojnë moskopetencë, kërkojmë që të rrezohet, pasi jemi në një procedim të lidhur. Ndërsa për gjykimin e shkurtuar dhe ndarjen e çështjes do të shprehemi në momentin e duhur procedural. Përsa i përket të pandehurës Klotilda Bushka situata është edhe më e qartë për shkak të funksionit të saj.
