Dy të rinj shqiptarë, Samira Xhaferi dhe Albi Çela, kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio, më 11 nëntor.
Lajmi i rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në SHBA dhe në Shqipëri, ndërsa familjarët kanë hapur një fushatë në GoFundMe për t’i sjellë trupat e tyre në atdhe.
Sipas iniciuesve të fondit, Samira, 27 vjeçe, ishte studente e doktoraturës në Cleveland State University, e njohur për përkushtimin, inteligjencën dhe pasionin e saj për kërkimin shkencor. Ndërsa Albi, 30 vjeç, ishte në përfundim të studimeve në Cleveland State University Laë dhe po përgatitej për provimin e jurisprudencës.
Të fejuar dhe të pandarë, Samira dhe Albi ndanin dashurinë për librat, për dijen dhe për botën e “Harry Potter”, e cila i lidhte edhe më shumë në jetën e tyre të përditshme. Miqtë dhe të afërmit i përshkruajnë si dy të rinj të qetë, të mirë dhe të dashur, që sillnin ngrohtësi kudo ku shkonin.
“Humbja e tyre ka lënë një boshllëk të pamatë në familjet tona dhe në komunitetin që ata prekën me dritën dhe dhembshurinë e tyre,” shkruhet në thirrjen e hapur.
Fushata ka për qëllim të mbledhë fondet e nevojshme për transportimin e trupave në Shqipëri si dhe për shpenzimet e varrimit dhe ceremonive përkujtimore. Familjarët u bëjnë apel të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen që të kontribuojnë sipas mundësive ose të shpërndajnë nismën për të nderuar kujtimin e tyre.
