Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar pas hapjes së grup-kapitullit të tretë të negociatave me Bashkimin Evropian. Rruga drejt Shqipërisë 2030 vazhdon pa limit, shkroi Rama. Ai thotë se deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur. Ky ritëm është tejet i lartë sipas kreut të qeverisë, gjë e cila tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Marta Kos Komisionerja evropiane për Zgjerim, gjithashtu ka uruar Shqipërinë për hapjen e grupit-kapitullit të tretë, që përbëhet nga Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithpërfshirëse. “Kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së. Zgjerimi në BE ka të bëjë me përparimin ditë pas dite”, shkruan Marta Kos në X. Grup-kapitulli I tretë përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin. Më 14 tetor 2024, Shqipëria hapi grup kapitullin e parë Themeloret dedikuar funksionimit demokratik të vendit dhe çështjeve të drejtësisë. Grup-kapitulli i gjashtë ‘Marrëdhëniet me Jashtë’ u hap më 17 dhjetor 2024, ku theksi vendoset në Marrëdhëniet e jashtme të vendit përfshi ato të sigurisë dhe mbrojtjes. Ndërsa grup-kapitulli dy ‘Tregu i Brendshëm’ u hap më 14 prill 2025 dhe përfshin Lëvizjen e Lirë të Mallrave, Lëvizjen e Lirë të Punëtorëve, Lirinë e Lëvizjes së Kapitaleve përfshi mbrojtjen e Konsumatorit dhe e Shëndetit.