Një studim i ri i kryer nga Universiteti Anglia Ruskin ka analizuar emocionet që punonjësit përjetojnë në vendin e punës, duke përfshirë mënyrën se si i shprehin – ose i fshehin – ato.

Në hulumtim morën pjesë 2,000 punëtorë dhe 250 drejtues, të cilët ndanë përvojat e tyre për ndjenjat që lindin gjatë orarit të punës.

Sipas studimit, njerëzit përjetojnë një sërë emocionesh – nga gëzimi dhe surpriza, deri te zemërimi, trishtimi, neveria dhe frika.

Megjithatë, shkaku kryesor i këtyre emocioneve nuk është puna vetë, por kolegët, raporton Index.hr duke iu referuar gazetës Mirror.

Burrat reagojnë më fort ndaj kritikave

Një nga zbulimet më interesante është se burrat rezultojnë më emocionalë në punë sesa gratë. Ata përfshihen më shumë emocionalisht në projektet e tyre dhe ndihen keq nëse nuk arrijnë një afat ose tejkalojnë buxhetin e kompanisë.

Gjithashtu, burrat janë dy herë më të ndjeshëm ndaj kritikave dhe shpesh i marrin ato personalisht. Rreth 43% e tyre pranojnë se kanë ngritur zërin në situata ku idetë e tyre janë injoruar ose refuzuar.

“Burrat kanë më shumë gjasa të ndiejnë emocione të lidhura me pushtetin, si zemërimi ose krenaria. Emocionet dhe pushteti janë të lidhura ngushtë,” shpjegon Dr. Terry Simpkin nga Universiteti Anglia Ruskin.

Sipas tij, kur një burrë nuk dëgjohet në vendin e punës, ai shpesh e lidh këtë me mungesë autoriteti apo statusi.

Gratë më të ekspozuara ndaj stresit dhe frustrimit

Megjithëse burrat shfaqin më shumë reagime emocionale, studimi tregon se gratë janë më të ekspozuara ndaj stresit dhe frustrimit. Ato kanë më shumë gjasa të fshehin emocionet e tyre – shpesh pas një buzëqeshjeje të rreme. Në fakt, një në tre persona pranoi se fsheh ndjenjat e vërteta gjatë punës.

Shefat: “Emocionet janë dobësi”

Studimi zbulon edhe qëndrime konservatore në drejtim të menaxhimit emocional. Rreth 30% e shefave mendojnë se shprehja e emocioneve në punë është shenjë dobësie, ndërsa 51% besojnë se ambienti i punës duhet të jetë “pa emocione” – qoftë pozitive apo negative.

Mijëvjeçarët: më të ndjeshmit dhe më të pasigurtit

Brezat më të rinj, sidomos mijëvjeçarët, përballen me sfida të tjera. Plot 91% e tyre pranojnë se ndjejnë trishtim ose zemërim në punë, ndërsa 80% kanë përjetuar ndjenjë neverie.

Sipas Dr. Simpkin, kjo lidhet me çështjet e identitetit profesional:

“Të rinjtë mund ta kenë të vështirë të zhvillojnë një identitet që përputhet me detyrat e tyre në punë. Ata mund të ndjejnë frikë nga dështimi, madje edhe frikë nga suksesi apo mospërshtatja.”

Megjithatë, hulumtimi tregon se me kalimin e viteve intensiteti i emocioneve negative zvogëlohet, dhe punonjësit bëhen më të qetë emocionalisht.

“Vetëdija emocionale” – çelësi i suksesit në të ardhmen

Studiuesit theksojnë se për një ambient pune produktiv dhe të këndshëm, kompanitë duhet të zhvillojnë vetëdijen emocionale – si te punonjësit ashtu edhe te drejtuesit. Në një botë pune gjithnjë e më dixhitale, aftësia për të kuptuar, menaxhuar dhe respektuar emocionet do të jetë thelbësore për suksesin afatgjatë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds