Sanksionet e reja të SHBA- së kundër Rusisë dhe forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, kanë përbërë boshtin e bisedës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky. Edhe pse nuk e ndajnë tashmë vecse 9 ditë nga kalimi i pushtetit fituesit të presidencialeve të 5 nëntorit në SHBA, Donald Trump, i cili shprehet për fundin e luftës në Ukrainë, Biden duket i vendosur ta vazhdojë deri në minutën e fundit ndihmën e tij për vendin e gjendur prej gati 3 vitesh nën agresionin e Rusisë.

 Në një postim në mediat sociale, Zelensky e falenderoi Biden për mbështetjen e Uashingtonit në luftën gati trevjeçare të Ukrainës përballë Rusisë dhe për “rolin jetik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në bashkimin e komunitetit ndërkombëtar”. Ai shtoi se gjatë bisedës, u vu theksi tek sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër industrisë ruse të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm “që ndihmon Putinin të financojë luftën”. “Ai duhet të ndiejë koston e luftës”, shkroi presidenti ukrainas.

 Zelenskiy tha se ai dhe Presidenti Biden diskutuan nevojën për të vazhduar forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës “për të mbrojtur ukrainasit  nga terrori rus – sulmet e përditshme me raketa dhe dronë”. Sipas Zelenskyt, sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, të furnizuara nga SHBA-të “kanë dëshmuar efektivitetin e tyre dhe ne duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë këtë kapacitet”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds