Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi se ka nënshkruar një hua sovrane prej €22.5 milionësh me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompaninë shtetërore shqiptare të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, për të financuar ndërtimin e një nënstacioni të ri nëntokësor 110/20 kV në qendër të Tiranës.

Investimi do të ndihmojë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike të kryeqytetit, në mbështetje të zbatimit të Planit të Masave për Qytetin e Gjelbër të Tiranës (GCAP), në kuadër të programit të BERZH-it për Qytetet e Gjelbra.

GCAP-i i Tiranës u miratua në vitin 2018 dhe përfshin angazhimin për të zgjeruar infrastrukturën moderne, dhe të qëndrueshme të shpërndarjes së energjisë elektrike në të gjithë kryeqytetin.

Financimi zëvendëson €14.5 milionë të alokuara më herët në kuadër të një huaje të mëparshme të BERZH-it dhe siguron €8 milionë shtesë. Fondet do të përdoren për të përmirësuar stabilitetin e rrjetit në një zonë urbane në rritje të shpejtë dhe për të ndihmuar në reduktimin e humbjeve teknike, duke kontribuar në një tranzicion më të gjerë në sektorin energjitik në Shqipëri.

Ekaterina Solovova, Drejtoreshë e BERZH-it në Tiranë, deklaroi: “Investimi do të përforcojë sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Tiranës në kuadër të rritjes së kërkesës dhe zgjerimit të zhvillimit urban. Duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës moderne dhe të qëndrueshme të energjisë elektrike, ne po mbështesim Shqipërinë në rritjen e sigurisë së saj energjitike dhe zhvillimin e urbanistikës së gjelbër.”

Programi i Qyteteve të Gjelbra i BERZH-it ndihmon qytetet të adresojnë sfidat e tyre më urgjente klimatike dhe mjedisore përmes investimeve të synuara dhe mbështetjes së politikave të gjelbra.

Çdo qytet pjesëmarrës zhvillon dhe zbaton një Plan Masash për Qytetin e Gjelbër që i jep përparësi infrastrukturës së qëndrueshme dhe mbështet një cilësi më të mirë jetese për banorët. Tirana ishte një nga tre qytetet e para që iu bashkuan Programit te BERZH në vitin 2016.

BERZH ka investuar në Shqipëri që nga viti 1991, me më shumë se €2.4 miliardë të angazhuara përmes 180 projekteve në energji, infrastrukturë, institucione financiare dhe sektorin privat./Monitor.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds