Kryedemokrati Sali Berisha në një konferencë për shtyp nga seli blu deklaroi këtë të mërkurë se moti dhe korrupsioni kanë pasur efekte shkatërrimtare këtë javë mbi pronat e mijëra qytetarëve.

DEKLARATA E BERISHËS

Moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit.

Dëmet janë kolosale jo vetëm në infrastrukturën, të cilat mediat i kanë paraqitur gjerësisht, por janë mijëra kokë bagëti, janë qindra hektarë sera, janë infrastrukturë e vogël e fshatrave, të rrënuara si asnjëherë në mote më parë.

Këto mote, këto shira të mëdha, dëshmuan infrastrukturën fiktive në këtë vend, ose ineksistente, kundër përmbytjeve.

Investimet janë në të katër anët e vendit në sistemin e kanalizimeve, por kanalet janë të mbyllura, janë të mbushura, dhe ato nuk ka kush t’i hapë sepse paratë për mirëmbajtjen e tyre vetëm vidhen.

U bënë virale në Shqipëri dhe në mbarë botën pamjet e rrugës së sapoinauguruar Qukës- Qafë Pllocë, pamjet e rrugës Kardhiq-Delvinë, pamjet e Rrugës së Arbrit, pamjet e rrugës Korçë-Ersekë, të gjitha të inauguruara vitin e kaluar ose gjatë këtij viti.

Pra, pas një periudhe shumë të shkurtër inaugurimi, u shembën njëra pas tjetrës.

Ndërkohë skarpatet shumë herë më problematike, më të larta se këto që u shembën, të ngritura 15 vite më parë në Rrugën e Kombit, në autostradën Levan-Tepelenë, në autostradën Tepelenë-Gjirokastër, dhe në autostrada të tjera të ndërtuara 13-15 vite më parë, skarpatat nuk kanë lëvizur, ndonëse ato rrugë janë ndërtuar me një çmim nga 6 deri në 10 herë më të lirë se sa këto që shemben.

Një vjedhje e tmerrshme, e paimagjinueshme, sepse ndonëse është shpenzuar 6-fishi, 8-fishi, 10-fishi sipas rrugës në ndërtimin e një kilometri, skarpatat janë lënë që të rrëshqasin, asnjë lloj përforcimi i këtyre skarpateve.

Skarpateve janë pjesë thelbësore, për të mos thënë se herë-herë edhe më të rëndësishme se traseja.

Unë u rikujtoj ju këtu se përforcimi i skarpateve të rrugës Tepelenë-Gjirokastër ka marrë dy vite, e cila gjeologjikisht konsiderohet pjesë më e shkrifët, më e rrëshqitshme.

Por ato nuk kanë lëvizur sepse paratë e taksapaguesve nuk janë vjedhur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *