Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, lëshoi akuza në lidhje me procesin zgjedhor të 11 majit 2025, të cilin e cilësoi si “një farsë elektorale” që, sipas tij, ka shkatërruar themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

“Për një shoqëri, groposja e zgjedhjeve si proces demokratik, shndërrimi i tyre në farsë elektorale, është de facto dhe de jure varrosje e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe demokracisë së atij vendi”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur çdo mjet dhe pushtet për të manipuluar dhe denatyruar procesin zgjedhor. Ndërkohë, Berisha ngriti disa pyetje direkte ndaj kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, në lidhje me lëvizjen e 350 kutive të votimit.

“A janë marrë 350 kuti votimi më 12 apo 13 prill nga magazinat e KQZ-së në Farkë? A ka firmosur Celibashi për dorëzimin e tyre te persona të caktuar? A ka dijeni për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe transportimin në një ambient të administruar nga një ish-deputet socialist?”, ishin disa prej pyetjeve që Berisha kërkoi t’u jepet përgjigje.

Ai i bëri thirrje Celibashit që të dorëzojë menjëherë pamjet e kamerave të sigurisë së magazinave të KQZ-së, siç është kërkuar nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Sipas tij, përpjekja për të transferuar përgjegjësinë te një agjenci tjetër shtetërore sigurie është “qesharake dhe e pabesueshme”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds