Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të mbyllur përkohësisht platformën TikTok në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi këtë vendim si një akt censure dhe një përpjekje për të kontrolluar komunikimin e qytetarëve.

Ai e konsideroi vendimin një formë represioni ndaj mbi një milion përdoruesve të TikTok në vend dhe akuzoi qeverinë për intolerancë dhe përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes.

“Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Chapo njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi 1 mln përdoruesve të TikTok në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila sot ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe botë”, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar një protestë kombëtare më 15 mars për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok në Shqipëri për 12 muaj.

Protesta do të mbahet para Kryeministrisë dhe synon të kërkojë anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi, të cilin Berisha e cilëson si akt censure.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds