Kosova ka mbetur jashtë përfitimit nga një paketë financiare prej 171 milionë eurosh të Komisionit Evropian, e dedikuar për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Sipas Bashkimit Evropian, arsyeja lidhet me mosplotësimin e kushteve ligjore dhe bllokadën institucionale të krijuar pas zgjedhjeve.

BE-ja ka konfirmuar se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje (RGF) ka pamundësuar ende disbursimin e fondeve për Kosovën. Pa përfundimin e këtyre procedurave ligjore, vendi nuk mund të përfitojë nga mjetet financiare të parashikuara. “Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesën, pasi nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje. Për rrjedhojë, Kosova nuk mund të përfitojë ende nga fondet e RGF-së”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian për FrontOnline.

Në një reagim zyrtar, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka shprehur shpresën se kjo situatë do të zgjidhet së shpejti, duke rikujtuar se Kosova ka përfituar së fundmi ndihmë financiare në vlerë prej 216 milionë eurosh. Kjo ndihmë përfshin programimin e fondeve të reja dhe vazhdimin e kontratave prioritare.

Sipas Komisionit Evropian, kjo shumë përfshin 181 milionë euro për programimin e fondeve të reja dhe 35 milionë euro për vazhdimin e katër kontratave prioritare që synojnë të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë, BE-ja ka bërë të ditur se synon të lirojë edhe shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti. Kjo do të mundësonte rifillimin e kontraktimit të fondeve IPA 2021 në vlerë rreth 17 milionë euro, IPA 2022 në vlerë prej 55.7 milionë eurosh, si dhe kontraktimin e projekteve të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në vlerë prej 132 milionë eurosh, pas arritjes së një marrëveshjeje për prioritetet e programimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *