Jozefina Topalli, rikthehet në Parlament, 8 vite pas lënies jashtë nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha, dhe pasi ky i fundit e largoi edhe nga Partia Demokratike. Thuajse në të njëjtin vend që mbante edhe kur bënte opozitë nga viti 2013, por tashmë një karrige më parë, Topalli pritet të jetë një nga zërat më të fortë të opozitës brenda Kuvendit, edhe si një përfaqësuese e Diasporës. Në fushatën e 11 majit, Topalli u zgjodh nga Berisha që të drejtonte fushatën në diasporë, e në këtë pozicion, ajo u vendos edhe në listat e mbyllura të Tiranës, qarkut me diasporën më të madhe. Topalli ka qenë gruaja e parë në historinë e Parlamentit shqiptar që zgjidhej për të drejtuar këtë institucion. Këtë detyrë, Topalli e mbajti për 2 mandate, nga viti 2005 pas fitores së zgjedhjeve, dhe poashtu në mandatin e saj të dytë nga viti 2009. Para këtyre Topalli ka mbajtur postin e nënkryetares së Parlamentit, nga radhët e PD. Topalli përplasjet më të fora i pati me ish-kryedemokratin Lulzim Basha, të cilin e konsideronte si të katapultuar në PD dhe të ngritur pa meritokraci. Këto përplasje sollën më pas edhe përjashtimin e saj, për tu rikthyer pas rithemelimit të partisë nga Berisha.
