Banorët e Lushnjës prej vitesh thithin aromat e rënda që lëshojnë në ajër disa fabrika të përpunimit të mbetjeve të ullirit dhe hidrokarbureve.
Tymi që del nga këto biznese çliron në ajër një aromë mbytëse, jo vetëm në zonën përreth në fshatrat Golem e Pluk, por edhe deri në qytet. Në zonën e Golemit, përgjatë autostradës operojnë 3 fabrika të tilla. Në një dëgjesë publike në një ambient privat me krerët e Drejtorisë Rajonale të Mjedisit dhe të Bashkisë Lushnjë, banorët jo vetëm që kanë kundërshtuar hapjen e një fabrike të katërt, por kërkojnë mbylljen edhe të tre të tjerave. Ndikimi që kanë këto fabrika në cilësinë e ajrit ka sjellë shqetësime serioze deri edhe në shkaktimin e sëmundjeve alergjike.
Pjesëmarrësit i kanë kërkuar specialistëve të mjedisit të bëhen dëgjesa të tjera me popullatën e zonës dhe se nuk duhet lejuar hapja e një tjetër fabrike që krijon ndotje. Ankesat e shumta për ndërtimin edhe të një fabrike tjetër të përpunimit të mbetjeve të ullirit në zonë ka sjellë mbylljen e aktivitetit të njerës prej tyre.
Sipas pjesëmarrësve në takim, ka pasur denoncime të qytetarëve të cilët janë tërhequr nga ankesat nga frika e kërcënimeve nga pronarët e fabrikave. Madje ndotja e mjedisit nga këto fabrika është pasqyruar edhe në emisionet investigative shqiptare, por pas cdo transmetimit, Agjensia Rajonale e Mjedisit është mjaftuar vetëm me gjoba, ndërsa aktiviteti i fabrikave ka vazhduar.
[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”wwye2A6Cu1w”]
