Reshjet e shiut me intensitet të lartë që kanë përfshirë të gjithë territorin e Shqipërisë që nga orët e para të ditës së sotme kanë shkaktuar vështirësi të shumta në disa zona. Strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar intensivisht për të përballuar pasojat e motit të keq dhe për të rikthyer normalitetin sa më shpejt.

Problematikat kryesore janë regjistruar në akset rrugore të zonave veriore të vendit, ku reshjet intensive kanë sjellë rënie gurësh dhe inertesh në rrugë, si dhe prurje të mëdha uji. Ndërkohë, në disa rajone, është raportuar për vështirësi në furnizimin me energji elektrike, veçanërisht në Durrës, ku 22 fidera kanë dalë jashtë funksionit. Ekipet janë në terren për të riparuar çdo dëmtim dhe për të siguruar furnizimin pa ndërprerje.

Në fushën e furnizimit me ujë, situata është më e rënduar në Durrës, ku nivelet e ujit janë maksimalisht të larta. Autoritetet janë të angazhuara për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar përkeqësimin e kushteve.

Për sa i përket porteve dhe aeroportit, situata është më e qetë. Porti i Durrësit dhe aeroporti “Nënë Tereza” po operojnë normalisht, ndërsa aktiviteti në Portin e Vlorës ka pasur disa pezullime për shkak të kushteve atmosferike.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është në gatishmëri të plotë dhe do të vazhdojë monitorimin e situatës në çdo moment për të siguruar sigurinë dhe normalitetin në të gjithë vendin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds