Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur disa ndërmarrje në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve, për sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve të këtyre produkteve.

Vendimi erdhi në përfundim të vlerësimit të praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Fier, Tiranë, Elbasan, Berat dhe Korçë pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.

Në mbledhjen e datës 26 nëntor, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese, Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi Person Fizik, Besim Thaqi Person Fizik, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK, kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar mark-up (shtesë mbi kosto) shumë të lartë, deri në 115%.

Sipas Autoritetit, kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me: çmime të diktuara e të koordinuara, dyer të mbyllura për negocim, varësi të tepruar nga pak blerës, presione për uljen e çmimeve dhe shlyerje të vonuara të pagesave.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ky vendim adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dhe forcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për çmime më të drejta e më transparente, konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve, mundësi reale zgjedhjeje për fermerët, pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale dhe frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar.

Gjithashtu, Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë, ndërkohë që do të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës.

Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *