Në kuadër të një simpoziumi mbi sigurinë rrugore, organizuar nga EVU Albania në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, u zhvillua një demonstrim i drejtpërdrejtë i një aksidenti rrugor.
Skenari simuloi përplasjen e një automjeti me një këmbësor, me qëllim ndërgjegjësimin mbi rregullat e qarkullimit dhe rëndësinë e respektimit të tyre si nga shoferët ashtu edhe nga këmbësorët.
Drejtuesi i EVU Albania, Alfred Hasanaj, theksoi se qëllimi i skenës ishte të ilustronte pasojat e mosrespektimit të semaforëve dhe moskalimit në vijat e bardha nga ana e këmbësorëve. Përplasja ishte e fortë, ndërsa Policia Rrugore reagoi menjëherë, duke ndjekur procedurat standarde të ndjekjes së një aksidenti rrugor.
Alfred Hasanaj, drejtuesi i EVU Albania: Do kemi tashmë një shembull aksidenti. Shoferi do hyjë me semafor të kuq. Ndërsa, këmbësori nuk qarkullon tek vijat e bardha. Mesazhi që japim është që këmbësorët të ecin tek vijat e bardha dhe shoferët të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Përplasja ishte e fortë. Tani erdhi Policia Rrugore dhe vijon procedura normale në aksidente.