Policia australiane është në kërkim të një personi të armatosur që qëlloi dhe vrau dy oficerë dhe plagosi një tjetër, ndërsa ata u përpoqën t’i dorëzonin një urdhër arresti për akuza për sulm seksual në një zonë rurale të shtetit të Viktorias, raportuan mediat lokale.
Në një deklaratë të postuar në mediat sociale, Policia e Viktorias tha se po hetonte një incident aktiv në qytetin malor të Porepanka, rreth 300 kilometra në verilindje të Melburnit, dhe u bëri thirrje banorëve të shmangin zonën.
Policia nuk ka dhënë detaje rreth incidentit. Komisioneri i Policisë Federale Australiane, Reece Kershaw, tha se kishte “shqetësim të thellë” për oficerët e përfshirë.
“Sot është një ditë pikëllimi dhe tronditjeje të thellë për komunitetin tonë. U shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve, miqve dhe kolegëve të dy oficerëve të policisë që u vranë tragjikisht në Porepanka”, tha kryetarja e bashkisë Sarah Nicholas në një deklaratë.
Objektet publike në të gjithë qytetin, duke përfshirë bibliotekat, qendrat e informacionit dhe depot, do të mbeten të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm, shtoi Nicholas.
Drejtori i shkollës fillore Porepanka, Jean Gillies, i tha ABC Melbourne se shkolla u detyrua të mbyllej dhe rreth 90 nxënës mbetën brenda që nga ora 11:30 e mëngjesit sipas kohës lokale. ABC nuk ka raportuar që atëherë nëse është hequr bllokimi. Aeroporti lokal është gjithashtu i mbyllur për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në vazhdim.
