Pas një shkëmbimi të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Kosovë, për një rast të trafikimit në vendin tonë, të një automjeti që ishte marrë me qira, një javë më parë, në Kosovë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Fier organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Illegal”.
Në kuadër të operacionit, u bë sinjalizimi i vendndodhjes së automjetit tip “Volkswagen”, si dhe ndjekja dhe vënia në pranga e drejtuesit të tij, shtetasit B. K., 56 vjeç, banues në Tiranë. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu gjatë patrullimeve në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me specialistët e IKMT-së, Drejtoria Rajonale Fier, kanë konstatuar në pyllin e fshatit Seman, 2 shtetas që gjuanin shpendë, në mënyrë të kundërligjshme, në cënim të kritereve të përcaktuara në ligjin nr.61/2016 “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë, në RSH”.
Në vijim të veprimeve procedurale materialet u referuan në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. Ll., 37 vjeç dhe A. S., 56 vjeç, të dy banues në Fier. Këtyre shtetasve iu bllokuan 2 armët e gjahut dhe fishekët luftarak që përdornin për gjueti.
Për të dy rastet materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.