Një 39-vjeçar nga Cërriku, i kërkuar nga autoritetet në Kosovë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve është arrestuar. Ai u kap dhe u vu në pranga me qëllim ekstradimin në Kosovë, ku është akuzuar për kultivimin dhe shpërndarjen e narkotikëve.
Arrestimi i Engjëllush Ibrahimit erdhi si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit midis Komisariatit të Policisë Cërrik dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë.
Sipas informacionit të siguruar nga autoritetet kosovare, Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar ndaj Ibrahimit masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa akuza. Ai akuzohet për veprat penale të “Kultivimit të bimëve të kanabisit” dhe “Blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, siç parashikohet nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë , po punon për ekstradimin e tij në Kosovë, ku pritet të përballet me akuza për aktivitetin kriminal të lidhur me drogën.