Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Reaction”, duke arrestuar në flagrancë një 36-vjeçar, i cili akuzohet për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes dhe për posedim të lëndëve narkotike dhe armëve të ftohta.
Shtetasi M. E., 36 vjeç, banues në Elbasan, u vu në pranga menjëherë pas njoftimit dhe hetimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, të cilët vepruan në bazë të informacioneve operative.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, forcat e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar kokaine, dy thika, përforcues grushti dhe një armë sportive. Të gjitha këto u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndaj 36-vjeçarit rëndojnë akuzat për dhunë në familje dhe posedim të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe armëve të ftohta. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për vijimin e hetimeve.