Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, iu përgjigjën menjëherë njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, në një karburant, me operacionin policor të koduar “How it ends”, me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta proceduriale-hetimore, me mbështetjen e inteligjencës policore, është zbardhur ky rast vjedhjeje dhe është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi F. B., 31 vjeç, banues në Lushnjë.
Në kuadër të operacionit pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Elbasanit, u bë e mundur kapja në Elbasan e 31-vjeçarit.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. B., në orët e para të mëngjesit, ka hyrë i maskuar në një karburant dhe duke kanosur me armë gjahu, ka marrë një shumë parash të xhiros ditore.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e gjahut që ka përdorur autori për të kryer vjedhjen, automjeti që kishte marrë me qira, veshjet që ka mbajtur gjatë vjedhjes, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë dhe një peshore elektronike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Kurse në Mallakastër në kuadër të megaoperacionit policor “Tempulli”, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. S., 26 vjeç, banues në fshatin Bejar, Mallakastër.
Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 70 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, dhe 537 fara të dyshuara të bimës narkotike cannabis sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit të Ballshit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”9wDIl6RWZss”]
