Policia e Durrësit ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e ish-kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Ardian Halili, i cili akuzohet për ndërtim të paligjshëm.
Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë Vendore të Durrësit deklaroi se Halili u arrestua pasi u kap duke ndërtuar pa leje një kompleks turistik privat në pronësinë e tij, të quajtur Saint Michelle Residence.
Objekti përbëhet nga 11 kabina garsoniere, një godinë dykatëshe dhe një fushë minifutbolli, të ndërtuara në një sipërfaqe prej 5,600 metrash katrorë në zonën e Ishmit.
Sipas policisë, ndërtimet kanë nisur në vitin 2018 deri në vitin 2021, periudhë kur Halili mbante funksionin e kryeinspektorit të IMT Durrës. Ky fakt, sipas autoriteteve, është një dëshmi e qartë e abuzimit me detyrën dhe e konfliktit të interesit nga ana e një zyrtari që kishte për detyrë të parandalonte shkeljet e tilla.
“Ky rast tregon qartë se si disa ish-zyrtarë kanë abuzuar me detyrën, në kundërshtim me ligjin, për përfitime personale. Shkelja e syrit apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, ndërtimi vetë pa leje, nuk do të tolerohet më në territorin e qarkut Durrës,” u shpreh drejtori i policisë.
Sakaq, policia njoftoi po ashtu se materialet në lidhje me rastin i janë referuar SPAK për veprat penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Deklarata:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues i Parë Vilson Bala,
Konferencë për shtyp për arrestimin e ish-Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe finalizimin e një operacioni për kapjen e personave me rrezikshmëri dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri.
Përshëndetje
Jam sot këtu, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Rendin Çlirim Nela dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Durrës Algert Gjonaj, për të bërë me dije veprimet e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore që i ngarkon ligji për parandalimin e ndërtimeve pa leje, evidentimin e atyre që janë ndërtuar më parë pa leje, kapjen dhe arrestimin e pronarëve apo administratorëve që kanë kryer apo guxojnë të kryejnë ndërtime pa leje.
Në këtë kuadër, strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H.
Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje, identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe ato të IKMT-së, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”.
Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.
Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës.
Në këtë frymë të zbatimit të ligjit, është duke vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike. Koordinimi i veprimeve mes strukturave të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, IMT-së dhe IKMT-së po jep rezultate çdo ditë në këtë drejtim.
