Vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Arbër Veliaj pas qëndrimit për disa minuta ka dalë nga ambientet e SPAK. Veliaj nuk ka preferuar të prononcohet për mediat dhe është larguar. Mësohet se paraqitje e tij ka të bëjë me dorëzimin e disa dokumenteve tek hetuesit e BKH-së.
Dje më 21 gusht, Veliaj u mor në pyetje për disa orë në SPAK. Kjo është paraqitja e tij e dyte brenda një javë në një hark kohor dy ditor. Ai dje para gazetarëve preferoi të përgjigjej shkurtimisht para se të largohej duke thënë se ishte paraqitur vullnetarisht që të sqarojë pozicionin e tij.
Ai u mor në pyetje nga prokurorët si person që ka dijeni për hetimet që po zhvillohen në dosjen ndaj vëllait të tij Erion Veliaj. Gjykata e Posaçme e Apelit më 31 korrik rrëzoi ankimimin e Arbër Veliajt i cili kundërshtonte kontrollet e SPAK që u kryen në dhjetor të 2024 në shtëpitë dhe në biznesin e tij.
Më 14 maj, Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim në Apel ankimin e Arbër Veliajt, i cili kundërshtoi sekuestrimin e materialeve nga ana e BKH si dhe të kontrolleve të ushtruara nga agjentët në banesën e tij dhjetorin e 2024. Vendimi asokohe u dha nga treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj.
Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën. Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
