Një orë xhepi floriri e gjetur në trupin e njërit prej pasagjerëve më të pasur të Titanikut, do të shitej për mbi 1 milion paund. Isidor Straus dhe gruaja e tij Ida, u përjetësuan në filmin e suksesshëm të James Cameron të vitit 1997, si çifti i moshuar që mbanin njëri-tjetrin në shtrat ndërsa Titaniku fundosej.
Natën e tragjedisë së vitit 1912, gruaja e Straus refuzoi një vend në një varkë shpëtimi pasi nuk donte ta linte burrin e saj dhe tha se do të preferonte të vdiste pranë tij.
Trupi i zotit Straus u nxor nga Atlantiku disa ditë pas tragjedisë, ndërsa në sendet e tij ishte dhe ora e xhepit prej floriri 18 karatësh “Jules Jurgensen”, që ishte ndalur në orën 2:20 të mëngjesit, momenti kur Titaniku u fundos nën ujë.
Ora madhështore, e cila ishte gdhendur me inicialet IS, iu kthye djalit të tij, Jesse-t, së bashku me sendet e tjera personale. Ora e tij kaloi nëpër breza të familjes përpara se Kenneth Hollister Straus, stërnipi i zotit Straus, ta riparonte dhe restauronte mekanizmin.
Ndërkohë tani, ora po shitet nga familja për herë të parë, ndërsa pritet të bëhet një nga objektet më të shtrenjta të Titanikut që është shitur ndonjëherë. Trupi i zonjës Straus nuk u gjet kurrë pas tragjedisë së 15 prillit 1912, në të cilën humbën jetën 1,520 njerëz.
Besohet se ora kishte qenë një dhuratë nga znj. Straus për burrin e saj në vitin 1888. Data e gdhendur në të, shkurt, ishte ditëlindja e 43-të e zotit Straus dhe viti 1888 ishte viti kur ai dhe vëllai i tij Nathan u bënë partnerë të plotë të Macy’s, aktualisht kompania më e madhe e dyqaneve për shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara.
