Sot në orën 11:00 në sallën e këshillit u organizua analiza për Klub Futboll Lushnjën . Kjo analizë për futbollin, u kërkua nga anëtarët e këshillit bashkiak në mbledhjen e fundit.
Në analizë ishin të pranishëm Kryetarja e Bashkisë që është edhe Presidentja e Klub Futboll Lushnja, Eriselda Sefa, Administratori i klubit Marjus Liçka, Traineri i ekipit Erion Xhafa, deputeti i zgjedhur i PS-së Elton Korreshi dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak.
Zoti Pirro Kallajxhiu Kryetari i Komisionit për Sportin dhe Kulturën tha se gjendja ekonomike është pengesa kryesore për cilësinë e sportit që ne duam. Kallajxhiu u bëri thirrje bizneseve të sponsorizojnë për klubin, jo për mëshirë, por që të jemi në nivelet e ekipeve të Kategorisë së parë
Kryetari i Grupit të këshilltarëve të opozitës Klement Çela theksoi se ka kërkuar disa herë bërjen e kësaj analize. Sipas tij nga takimi u kuptua që problemi më i madh janë financat e pakta që klubi ka në dispozicion, prandaj u kërkua gjetja e mënyrës nga Presidentja e klubit Sefa për privatizimin e tij.
Akademia ka qënë sukses këto dy vite u shpreh Marjus Liçka, Administrator i Klub Futboll Lushnja. Ai kërkoi mbështetjen e presidencës së klubit për të ecur përpara.
Nga këshilltarët u propozua që Klub Futboll Lushnja t’i kalojë nga Bashkia një fond emergjence prej 10 milion lekësh që do të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të muajit korrik.