Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, ka paralajmëruar për “herë të fundit” rebelët Huthi që të ndalin sulmet me raketa kundër Izraelit, duke thënë se ata rrezikojnë ta kenë të njëjtin fat mizor si Hamasi, Hezbollahu dhe Bashar al-Assadi i Sirisë, nëse vazhdojnë të ngulin këmbë.

Danon gjithashtu paralajmëroi Iranin, që mbështet Huthit, se Izraeli ka aftësi për ta goditur çdo shënjestër në Lindjen e Mesme, përfshirë në Iran. Disa orë pas fjalimit të tij të hënën në mbrëmje, ushtria izraelite njoftoi se rrëzoi një raketë të lëshuar nga Jemeni, e cila bëri që sirenat e alarmit të ndizeshin në gjithë vendin. Rebelët Huthi sulmuan aeroportin “Ben Gurion” afër Tel Avivit dhe një stacion të energjisë elektrike në jug të Jerusalemit duke përdorur një raketë balistike hipersonike dhe një raketë balistike Zulfiqar, tha të martën zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree.

 Komiteti suprem revolucionar i lëvizjes Huthi, tha ndërkohë se sulmet ndaj izraelit nuk do të ndalen. “Bombardimi i Izraelit po vazhdon, siç po vazhdon edhe mbështetja për Gazën”, shkruante komiteti në platformën X. Ambasadori Danon, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, deklaroi ndërkohë se Izraeli nuk do t’i tolerojë sulmet e mëtejshme nga rebelët Huthi. “U them rebelëve Huthi, mbase ju nuk i keni kushtuar vëmendje asaj që ndodhi në Lindjen e Mesme gjatë vitit të fundit”, tha Danon. “Më lejoni t’ju kujtoj se cfarë ka ndodhur me Hamasin, Hezbollahun dhe Assadin, me të gjithë ata që u përpoqën të na shkatërrojnë. Lë të jetë ky paralajmërimi i fundit për ju.Ky nuk është kërcënim. Ky është premtim. Ju do të përjetoni të njëjtin fat mizor”, tha ai.

Javën e kaluar, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi rebelët Huthi duke thënë se Izraeli “sapo ka filluar”, pas sulmeve izraelite ndaj disa objektivave të lidhura me Huthit në Jemen, përfshirë aeroportin e Sanaas, portet në bregun perëndimor të vendit dhe dy termocentrale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds