Të enjten, dështoi për herë të dytë përpjekja për konstituimin e Kuvendit të ri. Shkak për dy dështimet brenda javës janë bërë përplasjet procedurale mes partive që siguruan vende parlamentare në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Njerëzit kanë të drejtë të presim nga liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes të vendit”, shkroi në rrjet sociale ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves. Ai nënvizoi se Kosova ka nevojë “urgjente” për formimin e institucioneve të reja, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Por, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se konstituimi i Kuvendi i Kosovës ka ngecur, “për shkak të taktikave penguese”.

“ Bashkëpunimi i mirëfilltë është urgjentisht i nevojshëm për të garantuar institucione funksionale dhe formim të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, ishte mesazhi i tij. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *