Autori i masakrës së Çoles në Vlorë, ku tre persona mbetën të vrarë, Aleksandër Llanaj është izoluar sërish në regjimin 41 bis. Mësohet se Llanaj është caktuar me 1 vit për të vuajtur dënimin në këtë regjim. Aleksandër Llanaj është dënuar më parë me 35 vite burgim nga Gjykata e Vlorës për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i plotë:
Më datë 26.12.2024, i dënuari Aleksandër Llanaj, i biri i Baftjar dhe i Xhiko, i datëlindjes 17.11.1991, lindur dhe banues në Vlorë, është vendosur në Regjim të Posaçëm (“41-bis”) për një periudhë 1-vjeçare në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë, Peqin. Kalimi i tij në këtë regjim u krye në bazë të Urdhrit Nr. 650, datë 26.12.2024, të lëshuar nga Ministri i Drejtësisë, sipas ligjit “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në institucionet penitenciare të sigurisë së lartë”.
Aleksandër Llanaj është dënuar më parë me 35 vite burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin Nr. 24, datë 20.01.2016, për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer ndaj dy ose më shumë personave, në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 79/dh-25 dhe 278/5 të Kodit Penal.
Gjatë vuajtjes së këtij dënimi, Aleksandër Llanaj është dënuar edhe për disa vepra të tjera penale:
– Më datë 09.02.2017, me vendimin Nr. 79 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 8 muaj burgim për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, parashikuar nga neni 324/a/1 i Kodit Penal.
– Më datë 06.12.2019, me vendimin Nr. 620 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Rebelimi i të burgosurve”, parashikuar nga neni 270/2 i Kodit Penal.
– Më datë 20.01.2021, me vendimin Nr. 27 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është dënuar me 2 vite burgim për veprën penale “Rebelimi i të burgosurve”, parashikuar nga neni 270/1 i Kodit Penal.
– Më datë 10.02.2023, me vendimin Nr. 79 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Organizimi i llotarive të palejuara”, parashikuar nga nenet 324/a/2 dhe 197/1 të Kodit Penal.
Regjimi i posaçëm “41-bis” zbatohet në sistemin penitenciar për shtetas që përbëjnë rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe kanë lidhje me organizata kriminale, banda të armatosura ose grupe të strukturuara kriminale. Ky regjim aplikohet sipas nenit 17 të ligjit nr. 81/2020 dhe mund të vendoset ndaj personave me status të paraburgosuri ose të dënuar që kryejnë vepra të rënda penale, të cilat cenojnë sigurinë publike dhe rendin kushtetues.
Si ndodhi masakra e Çoles?
Gjithçka nisi mbrëmjen e 6 prillit të vitit 2015, për një kazino në qendër të qytetit bregdetar të Vlorës. Fillmisht në sherr u përfshinë Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Ky i fundit ka kërkuar ndihmë dhe ka vënë në dijeni shokun e tij, Albi Limaj. Limaj lajmëroi Aleksandër Llanaj dhe të rinjtë e lanë që të nesërmen të për tu sqaruar, në një lokal në lagje “Çole”. Në kohën kur janë takuar të rinjtë kanë nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit. Si pasojë e plumbave mbetën vrarë tre persona, Ardi Velaj, Akil Hasanaj dhe Albi Limaj. Në pranga u vunë Aleksandër Llanaj, Bertil Aliaj dhe Ani Begaj.
