Vetëm një gjurmë gishtash, sipas mediave italiane ka çuar në shkatërrimin e rrjetit shqiptar të trafikimit të drogës, një rrjet i madh që përfshinte tre nënndarje, të treja me organizator dhe anëtarë shqiptarë.
Operacioni “Fingerprint” u realizua si rezultat i bashkëpunimit disamujor ndërmjet Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Qarkut Antimafia Compagnia Carabinieri në Borgo San Lorenzo, Firenze dhe Zyrës së Sigurisë në Ambasadën e Italisë në Shqipëri. Operacioni u zhvillua njëkohësisht në 10 provinca italiane, me mbështetjen e mbi 100 personelit ushtarak dhe njësive me qen.
Operacioni që u shtri në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, kapi në Fier 41-vjeçarin që koordinoi veprimtarinë kriminale të organizatës për trafikimin e lëndëve narkotike, gjatë periudhës 2020-2021.
Gjatë hetimeve, gjykata e Firenzes lëshoi 12 urdhra arresti për individë të dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike, ku 10 prej tyre u ekzekutuan (9 në Itali dhe 1 në Shqipëri), ndërsa dy shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë hetimit, u sekuestruan gjithsej rreth 2 kg kokainë dhe 22 kg marijuanë dhe u zbulua si punonin tre grupet. Grupi i parë, ishin të specializuar në importimin e kokainës nga Holanda dhe më pas shpërndarjen e saj në Itali. Ndërsa grupi i dytë ishte i përfshirë në eksportimin e kokainës nga Firence në Zvicër dhe më pas shitjen e saj. Dhe grupi i tretë, i cili kishte anëtëre dhe një grua, merrej me importimin e sasive të mëdha të kanabisit nga Zvicra për tregun italian.
Gjatë kësaj faze të operacionit “Fingerprint”, shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, lokalizuan në Fier, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. H. alias E. H.,, 41 vjeç, lindur në fshatin Portëz, Fier.
Gjykata e Firences, me vendimin e vitit 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale, veprimtari e cila dënohet nga Kodi Penal i Italisë, me maksimalisht 24 vjet burgim.
Shtetasi E. H. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, ka koordinuar veprimtarinë kriminale të një organizate të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 41-vjeçarit, në Itali.
