Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka rrëzuar një padi të kryeministrit Edi Rama kundër ish-kryetarit të PD, Lulzim Basha.
Rama kishte hedhur në gjyq Bashën për deklaratat e këtij të fundit në 22 tetor të vitin 2018 lidhur me akuzat për cenimin e procesit elektoral në Durrës dhe Dibër si dhe përfshirjen e segmenteve të krimit në fushatë.
Në padinë e depozituar në Gjykatë, kryeministri Rama kërkonte “1.Detyrimin e të paditurit të shpërblejë dëmin jo pasuror, shkaktuar paditësit, si rezultat i thënieve të pavërteta të deklaruara prej tij, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcimin për mediat me datë 22.10.2018, në shumën 1.000.000 (një milion) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore.
2.Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të, sipas listës së përcaktuar në pikën D.2 të kërkesë padisë”.
Në vendimin e marrë një ditë më parë dhe të bërë publik sot, Gjykata arsyeton se bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, ccmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova.

Kryeministri mund të bëjë ankim të këtij vendimi në shkallën e Apelit, brenda 15 ditëve, duke nisur nga sot.