Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Policinë ka ndërmarë një aksion të gjerë e të befasishëm mesditën e djeshme në zyrat qëndrore të kompanisë “Bankers” në Fier e cila operon prej vitesh në fushën naftënxjerrëse të Marinzës.

Prokuroria e Fierit sot në njoftimin zyrtar raporton se ka lëshuar 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”,

Hetimet nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor.

Me kërkesë të Prokurorisë, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë Hongping Xiao, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, Leonidha Çobo, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Kompania naftënxjerrësve Bankers Petroleum ka reaguar pas arrestimit të drejtuesve të saj me urdhër të Prokurorisë së Fierit. Në një njoftim për mediat, Bankers Petroleum argumenton se në 21 vite aktivitet në Shqipëri ka investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare. “Kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto; dhe kemi mbështetur më shumë se 1,500 familje lokale përmes punësimit cilësor”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds