U nis nga Vlora me ambulancë për të shpëtuar jetën drejt Tiranës, por gjen vdekjen si pasojë e një aksident të rëndë i cili ndodhi në Rotondon e Savrës, në autostradën Fier- Lushnjë rreth orës 14:50. Një kamion me drejtues shtetasin L. Gj. 31 vjeç u përplas me ambulancën me drejtues shtetasin F. R., 54 vjeç që po transportonte pacientin D. K., 77 vjeç nga qyteti i Vlorës për në spital. Ambulanca është goditur nga kamioni i cili po udhëtonte drejt Lushnjës, kur ambulanca është futur në parakalim. Nga goditja shoferi i ambulancës humbi kontrollin dhe u përplas me trafikndarësen.

Gjithashtu  u dëmtuan dhe u dërguan në spitalin e Lushnjës për mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, drejtuesi i ambulancës, infermieri, shtetasi E. B., 33 vjeç dhe vajza e pacientit që ndërroi jetë, shtetasja E. A., 37 vjeçe. Shoferi 31 vjeçar i kamionit është ndaluar dhe grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit po vijon veprimet për përcaktimin e shkakut të aksidentit.

Kryqëzimi “Rotondo e Savrës” është mjaft problematik dhe shpesh janë regjistruar aksidente me pasojë vdekje. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds