Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë mëngjes qytetin Fenegrò, në provincën e Komos, ku një pensionist 81-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga makina që drejtohej nga portieri ndihmës i Interit, Josep Martinez.
Sipas mediave italiane, përplasja ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit të së martës, në Via Bergamo.
I moshuari, i cili lëvizte me karrocë elektrike me rrota, po udhëtonte vetëm në rrugë kur u godit papritur nga automjeti i 27-vjeçarit spanjoll.
Për pasojë, viktima pësoi lëndime të rënda dhe trauma fatale.
Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, së bashku me një helikopter mjekësor, por, pavarësisht përpjekjeve të tyre, 81-vjeçari ndërroi jetë në vend.
Martinez mbeti fizikisht i padëmtuar, por sipas raporteve, ndodhet në gjendje shoku pas ngjarjes tragjike.
Në vendngjarje ndërhynë karabinierët e kompanisë Cantù, të cilët po punojnë për të rindërtuar dinamikën e aksidentit.
Sipas disa dëshmive paraprake, i moshuari mund të ketë devijuar papritur nga korsia, ndoshta për shkak të një problemi shëndetësor, duke hyrë në krahun e kundërt në momentin kur po kalonte makina e futbollistit.
Hetimet po vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet e sakta të përplasjes.
Pas lajmit tragjik, Interi ka njoftuar se anulon konferencën për shtyp të planifikuar për në orën 14:00, ku ishte parashikuar të fliste trajneri Christian Chivu, në prag të ndeshjes së së mërkurës kundër Fiorentinës.
Klubi zikaltër shprehu ngushëllimet e tij për familjen e viktimës, ndërsa Martinez po qëndron nën kujdesin e stafit të klubit dhe autoriteteve kompetente.
