Një drejtues motoçiklete që shërbente në shpërndarjen e ushqimeve nga një fast food ka përfunduar në spitalin e Lushnjës pasditen e së mërkurës. Motoçiklisti është përplasur me një mjet me targa të shtetit të Kosovës.
Policia në vendngjarje ka shkuar për dokumentimin dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit ndërkohë që krahas kësaj efektivët e policisë së qarkullimit kryen edhe disiplinimin e trafikut, pasi aksidenti u shënua në afërsi të rrethrrotullimit të Plasmasit, ku ka pasur shumë qarkullim mjetesh.
Sipas bluve të qarkullimit të dy mjetet ishin në të njëjtin kah, lëviznin në drejtim të qendrës, ndërsa drejtuesja e mjetit me targa të Kosovës ishte duke kryer një manovër për t’u kthyer në drejtim të rrethrrotullimit ndërsa drejtuesi i motoçikletës është përplasur me të.
Gjendja shëndetësore e drejtuesit të motoçikletës sipas policisë së qarkullimit është jashtë rrezikut për jetën, pas marrjes së mjekimit nga mjekët në spitalin e Lushnjës.
Në qytetin e Lushnjës këto aksidente janë të përsëritura dhe shkaku kryesor është mospasja e vëmendjes nga ana e drejtuesve të mjeteve, por edhe të drejtuesve të motoçikletave.
