Një aksident i rëndë u regjistrua dje në aksin rrugor, Fier–Shegan- Pushimi Shoferit, ku për pasojë ka humbur jetën një 35-vjeçar. Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan sot drejtuesin e automjetit, shtetasin M. P., 61 vjeç, banues në fshatin Krutje, Lushnjë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident u përfshinë një motoçikletë dhe një automjet tip “Volkswagen Caddy”. Ky i fundit po kryente një manovër për të kaluar në anën tjetër të rrugës, me qëllim hyrjen në banesë, ndërsa në të njëjtën kohë motoçikleta ka tentuar një parakalim.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke lënë të plagosur rëndë drejtuesin e motoçikletës, shtetasin Klevis Gjoni, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat punuan për disiplinimin e trafikut dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Sipas burimeve policore, dyshohet se shkak i aksidentit është bërë tentativa për parakalim nga ana e motoçikletës, në momentin kur automjeti tip “Caddy” po kryente kthesën për në anën tjetër të rrugës.
