Një tjetër aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur sot në rrugët e Lushnjës. Këtë herë në aksin rrugor Pushimi i Shoferit-Divjakë. Një automjet tip Benz i drejtuar nga shtetasi M.Xh 18 vjeç banues në Babunjë, ka përplasur një kalimtar në zonë i cili po kalonte rrugën automobilistike për të shkuar në banesë. Në këtë moment është përplasur dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme, 91 vjeçari Ruhi Kurteshi banues në Këmishtaj. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit dhe po kryen veprimet hetimore.
Kujtojmë se aksi rrugor Pushimi i Shoferit-Divjakë është tepër i rrezikshëm pasi kalon përmes fshatrave të zonës. Kjo kombinuar me fluksin e levizjeje të sezonit veror rrit rrezikun për aksidente në rrugë. Pavarësisht masave të marra dhe përmirësimit të sinjalistikës duhet që edhe banorët të ndërgjegjësohen për rrezikun e po kështu edhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë kodin rrugor e të lëvizin me shpejtësinë e përcaktuar për të shmangur fatalitetet.
Njoftimi i Policisë
“Rreth orës 08:30, në fshatin Këmishtaj, automjeti me drejtues shtetasin M. Xh., 18 vjeç, banues në Babunjë, ka përplasur këmbësorin, shtetasin Sh. K., 91 vjeç, banues në Këmishtaj, i cili ka ndërruar jetë. Është shoqëruar në Komisariat drejtuesi i automjetit me të cilin po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, sipas policisë.