Rënia e nivelit të monedhës euro me rreth 16 përqind kundrejt lekut shqiptar, ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në rënien e eksporteve këtë vit, sqaron Kryetari i shoqatës së eksportuesve të Shqipërisë, Edvin Prençi. Që nga viti 2016 deri sot, euroja është zhvlerësuar në masën 35 përqind dhe kjo reflekton tek bizneset, që kontratat i kanë në monedhën europiane, tha ai.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, dhjetëmujori i këtij viti shënoi një rënie të eksporteve në masën minus 8.6 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënien më të madhe e kanë grupmallrat tekstil dhe këpucë, prodhime druri dhe letre si dhe prodhime kimike e plastike.
Vetëm sektori fason, që punon me material porositës nga jashtë, ka rreth 75 mijë të punësuar dhe zë rreth 40 përqind të eksporteve shqiptare, por për shkak të zhvlerësimit të madh të euros kompanitë shqiptare, që punojnë me material porositës, po bëhen gjithnjë e më pak të konkurueshëm në tregjet e huaja.
Nëse rënia e eksporteve do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, thotë zoti Prençi, kjo do të shoqërohet me efekte sociale si shkurtimi i vendeve të punës dhe mbyllja e bizneseve më pak konkurues.
Përfaqësues të biznesit fason kanë mendime të ndryshme përsa i përket daljes nga situata e vështirë ku kanë rënë muajt e fundit. Kontratat e tyre me kompanitë e huaja janë në euro, ndërsa pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e brendshme në monedhën vendase.
Pas më shumë se 30 vitesh nga krijimi i tyre, bizneset që punojnë me material porositësi për kompanitë më të njohura europiane tashmë po rrezikojnë të mbyllin ciklin e tyre, çka po i shtyn të kërkojnë rrugë të tjera për t’u berë konkurues në tregjet e huaja.
