Gjykata e Posaçme ka nisur sot gjyqin për ish-Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për çështjen e Sterilizimit. Në seancën e sotme, Beqaj ka deklaruar se çdo trupë gjykuese për këtë çështje është e paligjshme. Beqaj më tej ka shpjeguar se pse quan çdo trupë të paligjshme, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë njoftim akuze nga Prokuroria për vjedhje por vetëm për shpërdorim detyre. 

“Për mua çdo lloj trupe gjyqësore në këtë seancë është e paligjshme, nuk e kam me ju personalisht. Është një situatë paligjshmërie, pasi nuk kam asnjë njoftim akuze nga prokuroria për vjedhje, jam njoftuar vetem për shpërdorim detyre”, tha ai.

Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim. Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Bujqësisë.

Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *