Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier dhe 6 specialistë të këtij institucioni u dërguan në gjyq nga Prokuroria e Fierit për dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim drejtorin dhe disa specialistë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Sipas organit të akuzës është provuar se të pandehurit kanë vepruar dhe mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe auditimeve të brendshme të Ministrisë së Mjedisit.

Hetimet kanë zbuluar se drejtori dhe specialistët e agjencisë kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në shkelje të kritereve ligjore dhe nënligjore, pa kryer verifikime në terren dhe, në disa raste, në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm.

Gjithashtu, është konstatuar aplikimi i standardeve të ndryshme në vendimmarrje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.

Po ashtu, një numër i konsiderueshëm subjektesh të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk ka ndërmarrë masa për pezullimin apo revokimin e lejeve, siç e parashikon ligji.

Në përfundim, prokuroria ngriti akuzë dhe dërgon për gjykim të pandehurit:

– A.V., ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier;

– B.F., – E.B., E.Z., E.B., V.G., specialist/e monitorimi në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër; dhe

– P.T., specialist finance në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *