Sipas traditës në Shqipëri, është djali ai që mban mbiemrin dhe kujdeset për prindërit në pleqëri, kështu që kur një nënë e tre vajzave në fshatin Korçë mësoi pesë vjet më parë se priste një vajzë të katërt, ajo e dinte se kjo s’do të shkonte aspak mirë.

“Pashë në ekografi se ishte vajzë. Isha shumë e lumtur, – tha gruaja, – por ky nuk ishte një lajm aq i lumtur për burrin, vjehrrën apo vjehrrin tim.”

Gruaja, tashmë 35-vjeçare, përfundoi duke kryer abort.

Aborti selektiv me bazë gjinore nuk është i pazakontë në Shqipëri dhe pjesë të tjera të Ballkanit, i nxitur nga normat patriarkale që i konsiderojnë pasardhësit meshkuj më të dëshirueshëm, si dhe nga përqindjet e konsiderueshme të emigrimit, veçanërisht nga meshkujt.

Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, në shoqëritë ku praktikohet aborti selektiv me bazë gjinore, janë shfaqur pabarazi në raportin gjinor; ato përfshijnë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Në vitin 2023, Shqipëria regjistroi një raport prej 107.4 djem për 100 vajza, ndërsa një dekadë më parë disa pjesë të vendit raportonin koeficientë deri në 111.7, shumë përtej asaj që thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë se mund të pritet – 103 deri në 107 djem për çdo 100 vajza.

“Vlerësimet e fundit sugjerojnë se ka pasur 8,000 lindje femrash të humbura për shkak të përzgjedhjes së seksit para lindjes në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Shqipëri dhe Mal të Zi vetëm nga 2013-2017”, tha UNFPA në një raport të vitit 2020.

Në vitin 2017, një investigim i BIRN zbuloi një treg ilegal në lulëzim për testet gjenetike për të përcaktuar seksin e fetusit në Mal të Zi, i nxitur nga një preferencë shoqërore për djemtë.

Në Shqipëri, shifrat tregojnë një tendencë pozitive, por çekuilibri mbetet; në raportin e UNFPA-së Shqipëria renditet ndër 15 vendet e para në botë për preferencën ndaj djemve.

Sipas një sondazhi online të kryer në Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë nga Elbasanion dhe Fokus.ba përkatësisht, ndërgjegjësimi i publikut për fenomenin e abortit selektiv me bazë gjinore është i lartë, por edhe stigma që e rrethon atë.

“Po, për fat të keq, jam në dijeni të një rasti të tillë”, tha një i anketuar për Fokus.ba.

“Ishte një grua nga një zonë rurale, e cila iu nënshtrua presionit nga partneri i saj për të kryer një abort, sepse ai preferonte të mos kishte një vajzë. Ata e kishin tashmë një vajzë, të cilën ai mezi e kishte pranuar.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds