Vazhdon saga e seancave plenare që zgjasin pak minuta. Séanca e sotme zgjati për rreth 12 minuta dhe pati tensione nga deputetët e opozitës që u ngritën në këmbë dhe me pakarta në duar, u bënë ‘gardh’ para foltores. Ndërkohë, dikush prej tyre i bie dhe bilbilit, ndërsa disa janë pajisur dhe me zhurmuese.
Deputetja Albana Vokshi ka tentuar t’i japë kryeministrit Edi Rama pankartën ku lexonte “vrasës i demokracisë”, por nuk është lejuar nga garda.
Opozita e ka bërë të qartë që nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protesta e tyre do të vijojë.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolli mes tensioneve vijoi me rendin e ditës dhe votimet. Në rendin e ditës ishte Akti Normativ për shtesa dhe ndryshime në buxhetin e vitit 2023, për shtesa dhe ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat dhe disa akte të tjera normative dhe projektligje. Mazhoranca vijoi miratimin e projektvendimeve, sikurse ishte parashikuar në rendin e dites.
