Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga PS. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS për Tiranën, Rama iu referua dy figurave socialiste si “të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.

Të shtunën e kaluar kryeministri propozoi largimin e Spiropalit dhe Ndrecës, por Asambleja nuk votoi për përjashtimin e tyre, ndërsa gjatë mbledhjes në Gjirin e Lalzit pati edhe replika mes kryeministrit e ish-kryetares së Kuvendit. Në mbështetje të Spiropalit dolën vetëm Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan përjashtimin e saj nga forumet drejtuese socialiste.

Edi Rama: Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak, dhe të tjerë drejtues e punonjës të bashkisë së Tiranës pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit, nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga 2 të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi. Nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe kësaj familje si e ëma e Zeqos në majë të thanës. E përsëris, nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe bën, por uroj me gjithë zemër që të kuptojë që është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe PS-në. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familje, qofshin shërbëtorë politikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës. E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për eurinë e punëve. Këtë do ta zgjidhim në 9 maj me fitoren në ditën e madhe të Europës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *